TRANSPORT BENEVOLENT FUND

AlbanianMirëserdhët në Britaninë e Madhe. Urojmë që ta shijoni kohën në këtë vend dhe urojmë gjithashtu që puna juaj këtu të jetë e frytshme. Britania ka një historik të gjatë mikpritjeje për njerëzit e lindur në vendet e tjera të botës dhe shpresojmë që këtu të njihni miq të rinj.

Transport Benevolent Fund (TBC) është një organizatë bamirëse (Numri i Regjistrimit 1058032) e cila është krijuar për të ndihmuar personat që punojnë në industrinë e transportit të pasagjerëve me autobusë, trena, avionë apo tragete në Britaninë e Madhe. Kjo organizatë nuk është e hapur për individët që nuk punojnë në këto industri dhe as për ata që nuk punojnë në Britaninë e Madhe. Për t’u bërë pjesë e saj është e nevojshme të kesh një adresë britanike.

Në Britani, organizatat bamirëse sigurojnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe qeveria u jep atyre avantazhe në lidhje me taksat për arsye se ato ofrojnë një shërbim publik. Këto organizata nuk janë detyrimisht fetare dhe nuk janë të lidhura në asnjë lloj forme me qeverinë apo punëdhënësit.

Organizatat bamirëse nuk janë biznese tregtare: ato janë jofitimprurëse. Ato kontrollohen nga administratorë të besuar pa pagesë, por personeli i tyre normalisht paguhet.

TBF është organizatë bamirëse. Ne jemi krijuar vetëm për të ndihmuar anëtarët e organizatës dhe familjet e tyre në raste nevoje, vështirësie apo problemesh. Kostoja e anëtarësimit është £1 në javë dhe kjo shumë mbulon anëtarin e organizatës si dhe partnerin/partneren dhe fëmijët e tij/saj (nëse edhe ata jetojnë me të në Mbretërinë e Bashkuar). Broshura jonë nxjerr në pah përfitimet e anëtarësimit, ndërsa në faqen tonë të internetit mund të gjeni shumë më tepër informacion që është i gjithi në anglisht. Qëllimi i kësaj broshure është t’ju njohë me materialet e tjera të disponueshme.

Përfitimet tona përfshijnë ndihma afatshkurtra financiare në rast problemesh, pagesa për terapitë plotësuese mjekësore (siç është osteopatia, mjekësia natyrore dhe këshillimi), ndihmë ligjore (por jo për çështjet që kanë lidhje me punësimin tuaj) dhe ndihmë për kostot financiare të testeve apo analizave mjekësore në rastet kur nuk mund të sigurohen brenda një kohe të shkurtër me mënyra të tjera.

Në përgjithësi, ne nuk jemi në gjendje të ndihmojmë me përballimin e kostove të operacioneve mjekësore, funeraleve, pajisjeve optike (syzeve) apo mjekimit dentar, megjithëse në rrethana të veçanta mund të jemi në gjendje të ofrojmë ndihmë. Si organizate bamirëse, janë administratorët e saj ata që duhet të shqyrtojnë aplikimet për ndihmë – ne nuk mund të premtojmë ndihmë për çdo kërkesë që marrim.

Ne shpresojmë që ju të bëheni pjesë e organizatës sonë në mënyrë që të jeni në gjendje të vini te ne për ndihmë në rast problemesh gjatë punës në Britaninë e Madhe. Në përgjithësi ne jemi në gjendje që kontributin tuaj ta mbajmë drejtpërdrejt nga paga juaj.

Organizata jonë nuk është zëvendësuese e sindikatave të punëtorëve. Ju duhet të konsideroni mundësinë për t'u bërë pjesë e sindikatave për rastet kur hasni probleme në punën tuaj.

Ne ju urojmë fat dhe presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në TBF.